fb
ORARI
E hënë - E dielë: 09:00 – 22:00

Të reja

Grupi Balfin do të ofrojë për herë të parë instrumente financiare afatshkurtër

qtu, qedra tregtare univers, qender tregtare, grupi balfin

Grupi Balfin, më i madhi në vend, do të ofrojë për herë të parë instrumente financiare afatshkurtër (dëftesa tregtare borxhi), me interes 2 pikë përqindjeje më të lartë se bonot e thesarit të qeverisë. First Investment Bank është banka kujdestare dhe agjenti, që do të kryejë mbledhjen dhe pagesën e fondeve. BKT ka blerë dëftesat e para me vlerë 70 milionë lekë. Si funksionon dhe sa është risk.

Ashtu si qeveria emeton bono thesari apo obligacione për të mbuluar nevojat e saj për likuiditet, edhe kompanitë private në Shqipëri kanë filluar të emetojnë dëftesat e tyre tregtare të borxhit. Grupi Balfin, më i madhi në vend, do të ofrojë për herë të parë instrumente financiare afatshkurtër, çka nënkupton se grupi do të japë premtim për pagesa afatshkurtra, ndërsa blerësi do të marrë në momentin e maturimit paratë e investuara dhe një interes që është 2 pikë përqindjeje më i lartë se ai i bonove të thesarit (aktualisht interesat e bonove 12-mujore janë 1.2%; 6-mujore 0.95% dhe 3-mujore 0.9%). Strategjia është që Balfin të lëshojë instrumente borxhi afatgjatë dhe në një të ardhme të afërt të listohet edhe në bursë, ku do të ketë mundësi edhe më të mëdha për sigurimin e mjeteve alternative jo vetëm të financimit, por edhe të investimit. Më të mundshëm grupi shikon listimin në një bursë rajonale. Grupi Balfin kishte një xhiro vjetore rreth 500 milionë euro në 2015-n, me investime në mbi 10 vende të botës.

Në botë instrumentet financiare janë mjaft të zhvilluara për kompanitë, ndërsa në Shqipëri nuk përdoren për një sërë faktorësh si mungesa e një tregu të zhvilluar kapitalesh, informaliteti i lartë, niveli relativisht i ulët i zhvillimit të kompanive etj. Por, teksa kredia në banka është shtrënguar nga njëra anë dhe disa grupe të mëdha po zhvillohen dhe kërkojnë më shumë alternativa nga ana tjetër, fazat e para të tregut të kapitaleve po formësohen në Shqipëri, ndonëse bursa ende mungon.

Intervistë me znj. Edlira Muka, drejtore ekzekutive e grupit Balfin

Pse vendosët që të dilnit me instrumente afatshkurtër të borxhit?
Vitin e kaluar, ne si grup menduam që një nga portofolat shtesë që mund të bëheshin pjesë të investimeve tona ishte edhe tregu financiar. Kemi marrë pjesë në disa transaksione, disa prej të cilave i kemi përfunduar në një marrëveshje ndërkombëtare. Pra ka ekzistuar dëshira e grupit për t’u bërë pjesë e tregut financiar dhe vijon që të ekzistojë. Kryesisht jemi duke parë ata sektorë që kanë një lloj vazhdimësie, por janë edhe një diversifikim i mëtejshëm i portofolit të investimeve. Ne si grup njihemi që në të gjithë investimet që kemi bërë historikisht, kemi qenë pionierë duke sjellë të parët në Shqipëri atë që është implementuar në vendet më të zhvilluara, por që mendonim që ishte koha e duhur që të zbatoheshin edhe te ne. Historikun e kemi filluar me qendrat tregtare. Kur u hap QTU, në fillim ishin të gjithë shumë skeptikë a do të funksiononte apo jo. QTU doli një investim i suksesshëm, edhe nga pikëpamja e tregtisë me pakicë (retail). Grupi ynë është sot retail më i organizuar në Shqipëri.Pra kryesisht filozofia e grupit është që të jemi të parët apo ata që sjellin një risi në aspektet e biznesit që zhvillohet në Shqipëri. Për këtë arsye, edhe vitin e kaluar po mendonim si të zhvillojmë pjesën e tregut të instrumenteve financiare, si të bëhemi edhe ne pjesë, meqenëse bursa nuk funksionon. Çfarë mund të bëjmë ne që fillojmë t’i futemi këtij sektori dhe ta ngacmojmë disi, nga pikëpamja e një shoqërie private. Filluam që të lexojmë bazën ligjore, të konsultohemi me ekspertë të fushës dhe vendosëm që si ap të parë të investimit në bursë, që është një strategji afatgjatë e jona, ishte që të dilnim me “Commercial Paper”, i cili është një instrument financiar afatshkurtër. Përveçse të sillnim sërish një risi në treg, një arsye tjetër lidhet edhe me faktin që teksa niveli i kredive me probleme në sistemin bankar është shumë i lartë, bankat analizojnë dosjet me më shumë kujdes, kërkojnë më shumë garanci. Edhe në seleksionimin e aseteve që ofrohen si garanci, janë shumë skeptikë. Pra janë procedura që zgjasin. Ndaj ne menduam për një mënyrë alternative që mund të sigurojnë financim, por pa qenë e nevojshme që domosdoshmërisht të lidhet me një kolateral. Për shembull, i gjithë retail në botë financohet kryesisht me “kapital punues”, e cila sigurohet dhe garantohet nga vetë aktiviteti. Nuk është mirë që të bllokosh pasuri të paluajtshme. Në Shqipëri, edhe për një hua për kapital punues, bankat kërkojnë garanci maksimale, për arsye të parametrave që ato kanë, duan të jenë të garantuar maksimalisht. Ky ishte një instrument që ne na garantonte sigurimin e likuiditeteve, por pa qenë e nevojshme që të bllokonim asete. Nga ana tjetër, ky instrument, në njëfarë mënyrë, siguron një kosto më të mirë dhe një burim alternativ për likuiditetet. N.q.s në këtë moment ne jemi në pozicionin që kemi lëshuar një instrument, n.q.s ky treg zhvillohet, mund të kemi ne mundësinë, duke qenë me likuiditet të lartë, të investojmë në instrumente që korporata të tjera mund të lëshojnë. Dhe kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’u mbështetur në burime alternative, si në këndvështrimin e mundësisë së financimit nga një institucion financiar, ashtu dhe si mundësi investimi, që të mos jesh i varur vetëm nga normat e depozitave që bankat aplikojnë.

Për çfarë do të përdoren, pra cili do të jetë destinacioni?
Ne në momentin që nxorëm këtë si instrument, nuk kishim nevojë reale. Por menduam që këtë ta bëjmë për të zhvilluar tregun, i cili në një të ardhme më të afërt, mund të jetë më efecient dhe mund të shfrytëzohet më mirë. Ne për momentin këtë fond do ta përdorim si “kapital punues”, për grupe të ndryshme. Ne jemi grup shumë i madh, menaxhimi financiar ka edhe një koordinim në nivel grupi, kështu që ky do të jetë një fond që do të shërbejë për të mbështetur nevojat shumë afatshkurtra që mund të ketë grupi ose për optimizime.

Keni emetuar letrat e para?
Po letrat janë emetuar. Blerësi i parë ka qenë BKT, që ka marrë konfirmimin nga AMF. Edhe bankat e tjera kanë treguar interes, por nuk arritën që të merrnin në kohë autorizimin. BKT ka blerë 70 milionë lekë dëftesa tregtare, por kishin interes edhe për një vlerë më të lartë. Norma e kthimit (interesi) është bono thesari plus 2%. Banka që bleu letrat e para na njeh, se na ka mbështetur prej shumë vitesh, ndaj ishte më e lehtë që ta merrnin këtë vendim. Ato nuk kanë aktualisht një mënyrë më të mirë për të investuar, ky është një oportunitet për ata. Por edhe për ne, sepse ndërtojmë bashkëpunime me bankat, por njëkohësisht jemi edhe më eficientë për burimet alternative të financimit.

Me çfarë afati?
Me BKT, një pjesë të fondit e kemi me afat 3-mujor, gjysma tjetër për 6 muaj. AMF ka disa ndalime sa u përket publikimeve të informacioneve të këtyre lloj instrumentesh, të parashikuara në bazën e tyre ligjore, ndaj duhet të jemi disi të kujdesshëm në mënyrën se si shprehemi dhe materialin që publikojmë.

Cilët janë disa nga treguesit kryesorë të grupit, si raporti detyrime/kapital, kthyeshmëria nga aktivet, kapitali, investimet (ROE, ROA, ROI) etj., si dhe të dhëna të tjera financiare, që tregojnë shëndetin e kompanisë?
Vlera e letrave tregtare për emetim është vetëm 3% e kapitalit neto të Grupit Balfin. Raporti i borxhit mbi kapitalin është 0.95 dhe kapitali qarkullues është 1.59, të cilët tregojnë qartë aftësinë paguese të Grupit Balfin dhe japin garanci maksimale për kthimin e investimit. Kalendari i emetimeve të letrave tregtare dhe afati i maturimit të tyre janë organizuar në një mënyrë të tillë që të jenë të shpërndara në një afat ku maturimi i një letre tregtare përkon me emetimet e reja, duke siguruar kështu një skemë ‘rollover’ që garanton ripagimin në çdo rast.

A ka në plan të kalojë në instrumentet afatgjata të borxhit, apo të emetojë letra me vlerë të kolateralizuara, meqë kompania ka aktivitet dhe në real astate?
Ne planifikojmë që të kalojmë në instrumente financiare afatgjatë, të cilat do të bazohen në aftësinë paguese dhe projektet e Grupit Balfin. Ne nuk parashikojmë që të emetojmë letra me vlerë të kolateralizuara pasi ky është një instrument i cili nuk përmbush objektivin tonë.

Sa interes ka pasur për të blerë këto dëftesa. Sa të vështirë e vlerësoni gjetjen e investitorëve, duke qenë se këto instrumente janë të reja në tregun shqiptar?
Interesi kryesor për këto instrumente vjen nga shoqëritë financiare dhe ato menaxhuese të aseteve, të cilat në këtë periudhë e shohin këtë instrument si investimin më të sigurt dhe më fitimprurës në raport me instrumentet e tjerë që tregu ofron. Sigurisht që qëllimi ynë është që këto instrumente të zotërohen dhe nga shoqëri private të cilat kanë likuiditete të mjaftueshme. Vetë struktura e instrumentit dhe përfitueshmëria afatshkurtër siguroi suksesin e këtij instrumenti financiar pa asnjë vështirësi.

Po nga kompanitë private, a ka pasur interes?
Nga shoqëritë private, jo, sepse është një instrument që ti nuk e bën publik, ia ofron privatisht subjektit. Në fazën e parë ne donim që të ndërtonim marrëdhënie me institucionet financiare, në raundin e dytë po bisedojmë me shoqëritë e sigurimeve. Pasi t’i ezaurojmë këto, mund të kalojmë te shoqëritë private, jemi të hapur por le të themi se nuk e kemi reklamuar si instrument.

Sa me risk do të vlerësohet ky investim dhe sa garanci do të kenë investitorët në kthimin e investimit. Kush i mbron ata në rast se grupi do të ketë paaftësi paguese?
Nga palët e interesuara dhe pjesëmarrëse ky instrument është vlerësuar një investim i sigurt dhe jo me risk, i cili garantohet tërësisht nga aftësia paguese dhe treguesit financiarë të shëndetshëm të Grupit Balfin. Balfin Group nuk ka interes të emetojë në treg instrumente të cilët mund të cenojnë reputacionin shumëvjeçar të Grupit. Etika e biznesit është një nga elementët kryesorë, që ka karakterizuar Grupin. Banka kujdestare ndjek të gjithë procesin e emetimit dhe ripagimit të instrumenteve dhe ky është një proces i rregulluar me ligj, i cili i jep garanci të mjaftueshme investitorit. Edhe grupin nuk e ekspozon fare me risk, është vetëm një mënyrë alternative e të financuarit. Nga ana tjetër, edhe treguesit financiarë janë të shëndetshëm dhe mbështetës shumë të mirë të këtij instrumenti, jo vetëm nga pikëpamja e riskut por edhe te besueshmëria.

Sa është huaja që keni ju në banka dhe institucione të tjera financiare?
Totali i huas si grup, por edhe në shoqëritë që zotërojmë në Kosovë, Maqedoni, por edhe në bankat e tjera që jemi të ekspozuar në varësi të projekteve, është rreth 60 milionë euro. Nga këto, ekspozimi për TEG është vetëm 24 milionë euro. Kreditë tona nuk kanë asnjë ditë vonesë, jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim.

Si do të funksionojë tregu i shitjes para maturimit?
Investitorë janë të lirë të shesin instrumentin përpara afatit të maturimit. Ligji parashikon që kjo ofertë duhet të jetë private dhe jopublike.

Sa problem është për ju mungesa e tregut të kapitaleve dhe e një burse?
Për momentin nuk e kemi ndier. Në këndvështrimin tonë të investimeve strategjike, bursa është një vend ku investitorët mund të shikojnë kush ka kërkesë apo ofertë. Ky informacion në Shqipëri ka munguar dhe vijon që të mungojë. Faktikisht, duke pasur një info më të plotë, edhe investitorët janë më të prirë të realizojnë investime më shumë. Ekzistenca e bursës do të rregullonte edhe ato marrëdhënie financiare që kalojnë në kanale të tjera jo të rregulluara ligjërisht.

A mendoni se ka potencial për krijimin e një burse?
Nuk mund të them që është gati tregu për arsye të informalitetit që ekziston. Që të listohesh në bursë, duhet të plotësosh disa kërkesa sa i përket raportimit, e shumë rregulla të tjera. Për ne si grup do të ishte interesante që të funksiononte, ka dhe partnerë të tjerë që e shohin me interes që të ekzistojë. Nga diku duhet të fillojë. Bursat rajonale janë më interesante, sepse aksesi për investitorët dhe fondet janë shumë më të gjerë. Listimi në bursë është pjesë e strategjisë sonë afatgjatë. Gjithsesi, funksionimi i bursës do të lehtësonte procedurat, besueshmërinë dhe rregullimin e një vendi ku kërkesa dhe oferta e investitorëve do të publikoheshin dhe si rrjedhojë kjo do të sillte një zhvillim më të gjerë dhe eficent të këtij tregu. Aktualisht kjo mungesë ka filluar të ndihet edhe më shumë si pasojë e rënies së normës bazë të interesit, si dhe mungesës së alternativave të investimit të fondeve me një normë kthimi të pëlqyeshme.

Nëse do të kishte një bursë, sa të gatshëm do të ishin të listoheshit në të?
Ne po përgatitemi për listimin në bursë pasi besojmë që ekzistenca e saj do të rriste eficencën e likuiditeteve të Grupit Balfin.

"Dëftesat Tregtare"

Dëftesat tregtare sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare janë premtim-pagesa afatshkurtra që emetohen kryesisht për të mbuluar nevojat e financimit të shpenzimeve korente (llogarive të arkëtueshme) të korporatave. Këto instrumente emetohen praktikisht vetëm nga korporatat e mëdha dhe me kredibilitet të lartë dhe renditen si investime shumë të sigurta. Janë instrument i tregtueshëm, por shumë investitorë preferojnë t’i mbajnë ato deri në maturim.

Çdo Dëftesë Tregtare do të ofrohet në shumën 10 milionë lekë dhe shuma maksimale në qarkullim do të jetë 560 milionë lekë. Kjo shumë përbën më pak se 3% të kapitalit neto të grupit. Natyra e tyre afatshkurtër, lejon investitorët që të marrin fondet e tyre shpejt ose ta rinovojnë këtë investim.

Investitorët e synuar për Dëftesat Tregtare janë bankat, shoqëritë e sigurimeve, shoqëritë e administrimit të aseteve dhe të pensioneve si edhe individët. Në rast se numri i investitorëve të cilët duan të blejnë Dëftesa Tregtare si dhe shumat e ofruara prej tyre, tejkalojnë ofertën e bërë nga Balfin sh.p.k., atëherë, Balfin sh.p.k rezervon të drejtën të bëjë përzgjedhjen e investitorëve me të cilët do të lidhë kontratën si dhe shumën maksimale që mund të investojë secili prej tyre. Në rast se kërkesa në treg për Dëftesa Tregtare vjen në rritje, atëherë mundet që në emetimet e reja, Balfin sh.p.k të ofrojë një marzh më të ulët. First Investment Bank, është banka kujdestare dhe agjenti që do të kryejë mbledhjen dhe pagesën e fondeve, sipas licencës si “Kujdestar i obligacioneve të shoqërive aksionere dhe të qeverisë vendore” Nr 2, datë 23/12/2014. Kjo bankë është e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Letrat me Vlerë bazohen në Ligjin nr. 9879, datë 21/2/2008 Neni 36 “Për Titujt”.

Balkan Finance Investment Group është një ndër grupet private investuese më të mëdha në Shqipëri dhe rajon. Portofoli i investimeve të Grupit mund të kategorizohet në aktivitete për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitjet me pakicë, menaxhimi i hapësirave tregtare apo industriale dhe shërbime, telekomunikacion, financim i konsumatorëve, industria minerare, turizëm dhe agrikulturë. Balfin Group vepron në 10 vende, me një xhiro vjetore prej rreth 500 milion euro në vitin 2015, më i larti historik.”